E mërkura do ta sjellë Kosovën nën ndikimin e motit të qetë e kryesisht me diell, pas disa ditësh me reshje e vranësira. Sipas parashikimeve, mëngjesi do të jetë i ftohtë, me temperatura që zbresin deri në -1°C, ndërsa në mesditë pritet ngrohje graduale, me maksimale deri në 14°C.
Në orët e para të ditës, vende-vende pritet mjegull dhe brymë, sidomos në lugina dhe zona të mbyllura, ndërsa dita do të jetë stabile dhe e kthjellët, me vranësira të pakta kalimtare.
Atmosfera mbetet e qetë dhe pa ndonjë ndikim të dukshëm meteorologjik, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitete në natyrë.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, pritet mot me diell dhe vranësira lokale, ndërsa mëngjeset në lugina do të karakterizohen nga mjegulla dhe ngricat, veçanërisht në zonat kontinentale.
Meteorologët paralajmërojnë se fundjava mund të sjellë ndryshime të lehta atmosferike, por temperaturat pritet të mbeten të qëndrueshme për pjesën më të madhe të javës.

