Një skemë e ndërlikuar korrupsioni ka tronditur Rumaninë, duke përfshirë ish-senatorin Marius Ovidiu Isaila, i cili akuzohet se ka tentuar t’i ofrojë ryshfet prej 1 milion eurosh ministrit të Mbrojtjes për të lehtësuar një marrëveshje të dyshimtë armatimi që synonte të përfitonte në mënyrë mashtruese nga fondet e Bashkimit Evropian për Riarmatosjen e Evropës.
Sipas hetimeve, plani përfshinte blerjen e predhave të tipit rus nga Kazakistani, importimin e tyre në Rumani, ribrandimin si prodhim rumun dhe më pas shitjen e tyre në Ukrainë përmes një ndërmjetësi bullgar.
Shefi i kompanisë shtetërore Romtehnica, Razvan Mincu, ka deklaruar se kishte refuzuar ofertën, pasi “iu duk e dyshimtë”. Ndërkohë, ndërmjetësi Octavian Berceanu, që më pas u bë sinjalizues, ka dorëzuar 17 incizime të fshehta ku Isaila pranon ofertën dhe përshkruan skemën:
“Ne i blejmë nga Kazakistani, i çmontojmë, i rimontojmë këtu dhe i shesim si mall rumun.”
Në transkriptet e publikuara nga media rumune Gandul, Isaila përmend lidhje me “NATO, Ambasadën Amerikane dhe Gjermaninë”, duke lënë të kuptohet për ndikim politik të gjerë.
Ai gjithashtu ka pretenduar se një skemë e ngjashme ishte zbatuar më parë në Shqipëri, ku “të përfshirët u bënë miliarderë brenda natës”.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, ka konfirmuar publikisht përpjekjen për ta korruptuar:
“Një person u përpoq të blinte ndikimin tim me një milion euro. Refuzova çdo kontakt me të.”
Isaila është dërguar në paraburgim për 30 ditë, ndërsa biznesmeni bullgar Roman Angelov, i lidhur me kompaninë “Sofia Arm Tech”, është ende në arrati.
Autoritetet e BE-së kanë nisur hetime për verifikimin e mundësive të abuzimit me fondet e programit të ri të riarmatosjes së Evropës.

