Blue Origin e Jeff Bezos ka regjistruar misionin e saj më të rëndësishëm hapësinor deri më sot. Kompania lansoi me sukses raketën gjigante New Glenn, duke çuar drejt Marsit dy sondat binjake të NASA-s, pjesë e misionit ESCAPADE, dhe njëkohësisht arriti uljen e parë të suksesshme të fazës shtytëse – një hap vendimtar për rikuperimin dhe uljen e kostove të fluturimeve.
Raketa 98 metra e gjatë u nis nga Cape Canaveral pas disa vonesave nga moti dhe aktiviteti diellor. Sondat do të qëndrojnë pranë Tokës deri në vitin 2026 për një pozicionim optimal dhe pritet të arrijnë Marsin në shtator 2027, duke hyrë në histori si dy anije të para kozmike binjake që futen bashkë në orbitë rreth një planeti tjetër.
Misioni prej 80 milionë dollarësh do të studiojë atmosferën e sipërme dhe magnetosferën e Marsit, për të kuptuar si era diellore e zhveshi planetin nga atmosfera — një informacion kyç për mbrojtjen e astronautëve në misionet e ardhshme.
Blue Origin e kaloi provimin më të madh teknik: uljen vertikale të fazës shtytëse në det, një manovër që në fluturimin e pare dështoi. Elon Musk e përgëzoi publikisht Bezos për suksesin.
Ndërsa NASA po rishikon ritmet e SpaceX për ulëset hënore, New Glenn po i afrohet rolit të saj si platformë e madhe e misioneve ndërplanetare. Më tej pritet një mision testues për uljen në Hënë.
ESCAPADE do të analizojë në kohë reale ndikimin e erës diellore në atmosferën marsiane, duke ndihmuar shkencën të kuptojë transformimin e Marsit nga planet i lagësht në shkretëtirë të ftohtë.

