Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar sot nga Kryesia e PDK-së që të shtyjë Konventën e partisë për zgjedhjen e kryetarit, duke argumentuar se një parti serioze nuk mund të organizojë një proces politik dhe përmbajtësor në një kohë kaq të shkurtër.
Hoxhaj ka theksuar se shtyrja e Konventës do t’i jepte mundësi anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe çështje serioze që prekin vendin. Ai shton se kjo do të rrisë cilësinë e konkurrencës ndërmjet platformave dhe do të sigurojë një garë më të hapur dhe më demokratike.
“Nguti aktual nuk garanton garë cilësore, as reformim dhe unitet të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar kundërshtimin e tij ndaj çdo imponimi dhe skeme të mundshme që mund të orientojë garën ose të shpërfillë bazën dhe delegatët. “PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka përfunduar Hoxhaj.

