Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka bërë të ditur se në mbledhjen e kryesisë së partisë është arritur pajtueshmëri e plotë se zgjidhja e vetme për situatën aktuale politike në vend janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas Xhemailit, AAK-ja vlerëson se asnjë opsion tjetër nuk mund të rikthejë stabilitetin politik dhe institucional në Kosovë, përveç rikthimit të qytetarëve në kutitë e votimit.
“Çdo ide apo propozim alternativ duhet të trajtohet fillimisht brenda strukturave të partisë,” tha Xhemaili, duke shtuar se ky parim vlen për të gjithë anëtarët, përfshirë Besnik Krasniqin, i cili nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë.
Zëdhënësi i AAK-së ka sqaruar gjithashtu se partia nuk e sheh të mundshëm asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) dhe nuk do të mbështesë asnjë kandidat nga radhët e VV-së, përfshirë edhe Glauk Konjufcën.
AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, po e forcon qëndrimin e saj opozitar duke kërkuar qartazi zgjedhje të reja si rrugën e vetme për dalje nga ngërçi politik, ndërkohë që tensionet ndërmjet partive opozitare dhe qeverisë janë rritur ndjeshëm javët e fundit.

