Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë sërish thirrje për rritje të mbështetjes ndërkombëtare, pas një vale të re sulmesh ajrore ruse që lanë shtatë të vdekur në Kiev.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky u shpreh:
“Ukraina ka nevojë për mbështetje për të shpëtuar jetë njerëzish — më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete më të mëdha mbrojtëse dhe më shumë vendosmëri nga partnerët tanë.”
Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se Ukraina dhe Franca kanë arritur një marrëveshje të re për forcimin e aviacionit luftarak dhe të mbrojtjes ajrore, si pjesë e një pakete të gjerë bashkëpunimi ushtarak.
“Kjo është ajo që e ndihmon realisht Ukrainën të mbrohet dhe të përmbushë objektivat tona,” – theksoi Zelensky në një video të shpërndarë në platformat sociale.
Thirrja e tij vjen në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe qendrave urbane, ndërsa Kievi vazhdon të kërkojë sisteme të avancuara si Patriot dhe SAMP/T për të përballuar raketat dhe dronët rusë.

