Të hënën, Kosova do të përjetojë një ditë me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura mbi mesataren e nëntorit. Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet që gjatë orëve të paradites të mbajë diell dhe vranësira të lehta, ndërsa pasdite do të ketë shtim të vranësirave.
Temperaturat do të jenë ndjeshëm më të larta se zakonisht për këtë periudhë të vitit, me vlera maksimale që mund të arrijnë deri në 20 gradë Celsius. Meteorologët theksojnë se moti i ngrohtë vjen si pasojë e masave ajrore nga Afrika Veriore, të cilat kanë përfshirë rajonin gjatë fundjavës.
Megjithatë, kjo ngrohtësi pritet të jetë e përkohshme. Pasdite, reshjet e para të shiut do të nisin në veriperëndim dhe veri të vendit, ndërsa në mbrëmje dhe gjatë natës do të përfshijnë gradualisht edhe pjesët tjera të Kosovës.
Kjo lëvizje e masave ajrore sinjalizon ndryshimin e motit drejt kushteve më tipike për stinën, me mundësi për rënie graduale të temperaturave në ditët në vijim.

