Kanali zyrtar në YouTube i televizionit Tëvë1 është mbyllur të hënën, vetëm një ditë pas transmetimit të episodit më të fundit të emisionit satirik “Logjikonomia”. Shkaqet e fshirjes së kanalit nga platforma mbeten ende të paqarta, ndërsa televizioni nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar.
Episodi i fundit, me titullin “Surla, tupana e goma rezervë”, numër 101, trajtonte në mënyrë satirike fenomenin e militantizmit politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht në kontekstin e betejës elektorale për Mitrovicën e Jugut.
Në emision, protagonistët u shfaqën duke mbajtur goma automjetesh – një referencë simbolike ndaj festimeve me goma të ndezura të mbështetësve të Vetëvendosjes pas fitores së Faton Pecit në zgjedhjet e 9 nëntorit në Mitrovicë.
Pas transmetimit të kësaj satire, kanali i Tëvë1 u zhduk nga YouTube, duke ngritur dyshime dhe diskutime në rrjetet sociale për arsyet e mbylljes së tij.
Mbete të shohim nëse televizioni do të publikojë sqarime ose nëse platforma do të japë ndonjë arsyetim për këtë veprim.

