Në Bruksel po zhvillohet sot “Forumi i Zgjerimit”, një platformë e nivelit të lartë e organizuar nga Komisioni Evropian dhe partnerë të tjerë të Bashkimit Evropian. Ngjarja shihet si një prej iniciativave kyçe të BE-së për periudhën 2024–2029, me fokus të posaçëm në procesin e zgjerimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë në këtë forum, ndërsa ndodhet në Bruksel në kuadër të agjendës për çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Rama do të jetë pjesë e panelit të pasdites.
“Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian që synon ta ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e BE-së si një projekt të përbashkët politik, shoqëror dhe ndërbrezor,” thuhet në prezantimin e ngjarjes.
Ngjarja zhvillohet nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë”, duke mbledhur një gamë të gjerë pjesëmarrësish nga institucionet evropiane, vendet aspirante dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

