Të enjten, në orët e hershme të mëngjesit, pjesa më e madhe e territorit të Kosovës do të përfshihet nga një valë e re reshjesh dhe rrebeshesh shiu, më të theksuara në rajonin e Dukagjinit. Megjithatë, këto reshje parashihen të mos zgjasin shumë.
Gjatë ditës pritet ndërprerje graduale e reshjeve, ndërsa në shumë zona do të krijohen kushte edhe për intervale me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme, pasi mbi vend do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore nga jugu dhe jugperëndimi. Lokalisht nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rrebesh të izoluar shiu. Temperaturat maksimale ditore pritet të arrijnë deri në 15°C.
Në Shqipëri, të enjten parashikohet një përmirësim i lehtë i motit, megjithëse reshjet do të vazhdojnë të jenë të pranishme, por me intensitet dukshëm më të ulët krahasuar me ditët paraprake. Gjatë ditës priten vranësira dhe intervale me diell në disa zona, ndërsa gjatë natës reshje dhe rrebeshe të reja shiu pritet të përfshijnë sërish vendin, veçanërisht rajonet jugore dhe bregdetare të perëndimit.

