Inovacioni në inteligjencën artificiale pritet të marrë një shtytje masive, teksa Microsoft, NVIDIA dhe Anthropic kanë zyrtarizuar një partneritet strategjik shumëmiliardësh për të shkallëzuar modelet Claude në Microsoft Azure. Marrëveshja synon të rrisë performancën, efikasitetin dhe kapacitetin global të AI në një nivel të ri.
Sipas njoftimit, NVIDIA dhe Microsoft janë zotuar të investojnë deri në 10 miliardë dollarë dhe 5 miliardë dollarë përkatësisht në Anthropic. Kjo shënon edhe fillimin e një bashkëpunimi të thellë teknologjik mes NVIDIA-s dhe Anthropic, me fokus optimizimin e modeleve Claude dhe arkitekturave të gjeneratës së re të NVIDIA-s.
Anthropic ka marrë angazhime të mëdha infrastrukturore: deri në një gigavat kapacitet llogaritjeje të bazuar në sistemet NVIDIA Grace Blackwell dhe Vera Rubin, si dhe blerje të 30 miliardë dollarëve kapacitet llogaritës në Azure.
Në kuadër të marrëveshjes, Microsoft dhe Anthropic po zgjerojnë partneritetin e tyre për të sjellë modelet Claude — përfshirë Sonnet 4.5, Opus 4.1 dhe Haiku 4.5 — për klientët enterprise të Microsoft Foundry dhe Azure. Kjo e bën Claude të vetmin model të disponueshëm në të tre platformat më të mëdha cloud globale.
Claude do të integrohet më tej edhe në produktet Copilot të Microsoft, si GitHub Copilot, Microsoft 365 Copilot dhe Copilot Studio.
Liderët flasin
CEO i NVIDIA-s, Jensen Huang, e quajti këtë “një ëndërr të bërë realitet”, duke theksuar se ky është bashkëpunimi i parë i thellë me Anthropic për të çuar përpara gjeneratën e re të inteligjencës artificiale.
Nga ana tjetër, Microsoft po forcon pozicionin e vet si lojtar kyç në ekosistemin global të AI, pas marrëveshjeve edhe me OpenAI dhe xAI të Elon Musk, ndërkohë që në Wall Street vazhdojnë diskutimet për një flluskë të mundshme të AI-së.

