Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar se KQZ-ja do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite janë futur certifikimi i rezultateve zgjedhore si dhe shpallja e rezultateve për raundin e dytë.
Sipas Elezit, KQZ-ja do të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 12 tetorit për Kuvendet Komunale, për ato komuna ku tashmë është përmbyllur trajtimi i të gjitha ankesave nga PZAP dhe Gjykata Supreme.
“Në mbledhjen e së premtes do të shqyrtohet dhe pritet të votohet certifikimi i rezultateve për Kuvendet Komunale, për komunat ku janë finalizuar të gjitha procedurat e ankesave”, tha Elezi.
Në rend dite është edhe certifikimi i raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, të mbajtur më 9 nëntor.
“Gjithashtu, KQZ-ja do të procedojë me shpalljen e rezultateve të raundit të dytë të mbajtur më 9 nëntor, për 18 komunat ku është zhvilluar gara për kryetar komune”, shtoi ai.
Në raundin e parë procesin e përmbyllën 20 komuna, ndërsa 18 të tjera shkuan në balotazh më 9 nëntor.
KQZ pritet të finalizojë sot të gjitha rezultatet përfaqësuese të zgjedhjeve lokale, duke hapur rrugën për konstituimin e kuvendeve komunale dhe betimin e kryetarëve të rinj.

