E diela në Kosovë pritet të shënojë një rënie të ndjeshme temperaturash, ndërsa vendi do të përballet me reshje lokale shiu, shqote dhe bore. Reshjet do të jenë të dobëta dhe me kohëzgjatje të shkurtër, pa intensitet të lartë.
Në disa rajone priten pamje estetike nga reshjet e borës, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës dhe zonat kodrinore-malore, por reshjet nuk pritet të zgjasin dhe nuk do të përfshijnë të gjithë territorin. Nën ndikimin e erërave veriore, temperaturat maksimale do të zbresin në vetëm 6–7°C.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, e diela do të jetë e ftohtë dhe kryesisht e vranët, me reshje lokale shiu dhe bore. Borë parashikohet kryesisht në veri të Malit të Zi, si edhe lokalisht në veri dhe lindje të Shqipërisë dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Këto reshje vijnë si pasojë e mbetjeve të një cikloni në dobësim, i cili pritet të largohet gjatë së hënës, duke sjellë një ditë pa reshje atmosferike në rajon.

