Kriza diplomatike mes Kinës dhe Japonisë po thellohet, pasi Pekini reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministres japoneze Sanae Takaichi lidhur me një mundësi ndërhyrjeje ushtarake në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e cilësoi të dielën “tronditëse” që Tokio të dërgojë publikisht një “sinjal të gabuar” për Tajvanin, duke akuzuar Japoninë se ka kaluar një “vijë të kuqe që nuk duhet të preket”, sipas deklaratës së publikuar nga Ministria Kineze e Punëve të Jashtme.
Çfarë shkaktoi tensionin?
Më 7 nëntor, Takaichi deklaroi në parlament se një sulm hipotetik kinez ndaj Tajvanit mund të konsiderohej si kërcënim ndaj sigurisë së Japonisë, duke hapur rrugën për një reagim ushtarak.
Këto komente ndezën:
-
krizën më të madhe dypalëshe në më shumë se dy vite
-
tensione që tashmë kanë prekur marrëdhëniet tregtare dhe kulturore
-
anulime të aktiviteteteve publike mes dy vendeve
Pekini ankohet në OKB
Të premten, Kina ia paraqiti zyrtarisht çështjen Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke paralajmëruar se do të mbrohet “me vendosmëri”.
Wang Yi deklaroi se:
“Nëse Japonia ndërhyn e armatosur, kjo do të jetë akt agresioni. Kina do ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial.”
Ai shtoi se, nëse Tokio “këmbëngul në kursin e gabuar”, vendet kanë të drejtë të rishqyrtojnë krimet historike të Japonisë dhe të parandalojnë “ringjalljen e militarizmit japonez”.
Reagimi i Japonisë dhe Tajvanit
-
Ministria e Jashtme japoneze hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur “krejtësisht të papranueshme” dhe theksoi se angazhimi për paqen “mbetet i pandryshuar”.
-
Tajvani reagoi ashpër ndaj letrës së Pekinit në OKB, duke e akuzuar Kinën për:
-
“shtrembërim të qëllimshëm të historisë”
-
shkelje të Kartës së OKB-së, nenit 2(4), që ndalon kërcënimin ose përdorimin e forcës
-
Qeveria e Tajvanit nënvizoi se vetëm populli tajvanez vendos për të ardhmen e ishullit.
Dimensioni ekonomik i krizës
Pavarësisht tensioneve politike, lidhjet tregtare mbeten të mëdha:
-
Kina është tregu i dytë më i madh i eksportit për Japoninë
-
në vitin 2024 ka importuar rreth 125 miliardë dollarë mallra japoneze
-
kryesisht pajisje industriale, gjysmëpërçues dhe automobila
Ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë mund të ketë pasoja reale në zinxhirët ekonomikë, nëse përshkallëzimi vazhdon.
