Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të propozojë kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor.
Vendimi u bë i ditur pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ndërsa Abdixhiku konfirmoi në një konferencë për media se emri i tij do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm për miratim.
“Diskutimi nuk zgjati shumë. Kryesia e LDK-së konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë tjetër kandidat për kryeministër. Prandaj më nominoi si propozim për Këshillin e Përgjithshëm,” deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se ka marrë autorizimet e nevojshme për organizimin zgjedhor, duke njoftuar se është tërhequr nga e drejta për të përcaktuar renditjen e listës së kandidatëve për deputetë.
“Rikonfirmova autorizimet që të përpiloj listën, por hoqa dorë nga e drejta ime për renditjen. Këtë do ta bëjë një grup më i gjerë njerëzish, në mënyrë që të mos ketë pakënaqësi se kush është para e kush pas,” theksoi ai.
LDK pritet të formalizojë kandidaturën në Këshillin e Përgjithshëm në ditët në vijim, ndërsa partitë tjera po intensifikojnë përgatitjet për fushatën që nis më 17 dhjetor.

