Agjencia Malazeze për Parandalimin e Korrupsionit ka konfirmuar zyrtarisht se ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Milo Gjukanoviq ka dhënë deklarime të pasakta për pasurinë e tij, duke mos raportuar të paktën shtatë orë luksoze me vlerë mbi 225 mijë euro.
Zbulimi godet një nga figurat më dominuese politike të Malit të Zi, njeriun që për tre dekada ka udhëhequr vendin si president dhe kryeministër, duke ndikuar çdo proces vendimmarrës.
Arkivat e mediave rrëzojnë versionin e Gjukanoviqit
Agjencia i është drejtuar arkivave të gazetës së njohur malazeze Vijesti — pas sinjalizimeve të vazhdueshme të reporterëve se pasuria e deklaruar e Gjukanoviqit nuk përputhet me realitetin.
Analiza e fotove të shumta nga daljet publike të tij zbuloi një koleksion të gjerë orësh të nivelit ultra-luksoz:
-
Franck Muller
-
Breguet
-
Roger Dubuis
-
Rolex
-
Patek Philippe
-
Cartier (dy modele)
Sipas ekspertëve, vlera e kombinuar e këtyre orëve tejkalon 225 mijë euro — asnjëra e deklaruar në formularët zyrtarë të pasurisë.
Shkelje e rëndë, thotë Agjencia
Kreu i Agjencisë së Antikorrupsionit, Dushan Drakiq, e cilësoi rastin si shkelje të rëndë të ligjit nga ana e ish-udhëheqësit të shtetit.
Kjo vjen pasi për 15 vite, Vijesti raporton vazhdimisht për orët e padeklaruara të Đukanovićit — dhe për po aq kohë, Agjencia i kishte hedhur poshtë akuzat.
Përpjekjet e MANS dhe rrëzimi i pretendimeve
Në vitin 2019, organizata MANS kërkoi hetim zyrtar, por Agjencia e mbylli rastin duke pretenduar se “fotografitë dhe artikujt gazetaresk nuk përbëjnë prova të vlefshme”.
MANS e çoi rastin në gjykatë, duke kundërshtuar këtë qëndrim, ndërsa presioni publik u rrit deri në pikën ku Agjencia u detyrua të hapte sërish çështjen dhe të analizonte dëshmitë.
Reagimi i Gjukanoviqit: “Sensacionalizëm dashakeq”
Gjukanoviq reagoi në fund të vitit 2021, duke mohuar kategorikisht se zotëronte dhjetëra orë të shtrenjta.
Ai pranoi vetëm një orë Breguet, për të cilën pretendoi se ishte dhuratë nga vitet ’90 — “para se të merrte pozita publike”.

