Shtetet e Bashkuara kanë shpallur “Cartel de los Soles”, një rrjet të gjerë korrupsioni dhe trafiku droge të lidhur me zyrtarë të lartë të Venezuelës, si grup terrorist. Sipas Uashingtonit, struktura dyshohet të drejtohet nga presidenti Nicolás Maduro dhe figura të tjera të rangut të lartë. Ky klasifikim u jep agjencive amerikane kompetenca më të gjera për goditjen dhe shpërbërjen e aktiviteteve të këtij grupi.
SHBA e ka rritur presionin mbi Maduron muajt e fundit, duke e konsideruar qeverinë e tij të paligjshme pas zgjedhjeve të kontestuara. Masat e reja synojnë të shtojnë presionin diplomatik dhe operacional kundër regjimit të Caracas-it.
Caracas mohon gjithçka: “Gënjeshtër e re dhe qesharake”
Qeveria e Venezuelës ka hedhur poshtë ashpër akuzat, duke i cilësuar si një fabrikim politik. Ministria e Jashtme e quajti etiketimin “një trillim qesharak”, duke insistuar se Cartel de los Soles nuk ekziston. Edhe ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë, Diosdado Cabello – i përfolur si një nga drejtuesit e grupit – e quajti akuzën “shpikje” të përdorur për të goditur kundërshtarët e SHBA-së.
Edhe presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka mohuar ekzistencën e kartelit, duke e etiketuar si një mjegullnajë politike të ekstremit të djathtë.
Çfarë është Cartel de los Soles?
Sipas ekspertëve të konsultuar nga BBC, e vërteta qëndron mes mohimeve politike dhe akuzave amerikane. Termi u shfaq në vitet ‘90, pasi media venezueliane denoncoi gjeneralë të Gardës Kombëtare për lidhje me trafik droge. “Diellat” i referoheshin simboleve të gradës në uniformat e oficerëve.
Me kohën, emri u përdor për t’iu referuar një rrjeti të gjerë korrupsioni, jo një strukture formale të tipit klasik “kartel”. Ekspertët thonë se aktivitetet janë zhvilluar paralelisht me krizën politike dhe ekonomike në Venezuelë, veçanërisht gjatë presidencës së Hugo Chávez dhe më pas të Nicolás Maduro.
Raportet e DEA-s dhe dëshmitë e ish-zyrtarëve venezuelianë tregojnë se grupe brenda ushtrisë, policisë dhe inteligjencës kanë bashkëpunuar me organizata të trafikut të drogës dhe grupet guerile të FARC-ut, duke siguruar korridore për kalimin e kokainës drejt SHBA-së.
Akuzat amerikane: Maduro në qendër të skemës
Në vitin 2020, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së akuzoi Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë për komplot me grupet kolumbiane për trafik kokaine. Në listë përfshiheshin Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino, ish-kreu i gjykatës Supreme Maikel Moreno, si dhe ish-gjeneralët Hugo Carvajal dhe Clíver Alcalá.
Disa prej tyre – përfshirë Carvajal dhe Alcalá – janë zhvendosur jashtë Venezuelës dhe kanë dhënë dëshmi përpara autoriteteve amerikane, duke përforcuar akuzat për përfshirjen e niveleve të larta të qeverisë.
SHBA ka rritur më tej shpërblimet për kapjen e Maduros (50 milionë dollarë) dhe Cabellos (25 milionë dollarë).
Caracas: “ShBA po përgatit justifikimin për ndërhyrje”
Qeveria e Venezuelës nuk iu përgjigj BBC-së para publikimit, por ka deklaruar më herët se akuzat janë një përpjekje e Uashingtonit për të justifikuar një ndërhyrje të paligjshme dhe për të rrëzuar regjimin në pushtet.
Përplasja rreth “Cartel de los Soles” mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet SHBA–Venezuelë, duke thelluar më tej tensionet politike dhe presionin ndërkombëtar ndaj Maduros.
/BBC/

