Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një drekë zyrtare të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, së bashku me stafin diplomatik amerikan, në shënim të Ditës së Falënderimeve.
Kjo është hera e dytë që Qeveria e Kosovës dhe Ambasada Amerikane kremtojnë së bashku këtë festë tradicionale amerikane, me synimin që të shndërrohet në një traditë të përvitshme.
Dreka përfshiu ushqime tipike të Falënderimeve, një festë e cila ka gati 400 vjet që shënohet në SHBA dhe është shpallur zyrtarisht festë kombëtare nga Presidenti Abraham Lincoln në vitin 1863.
Qeveria tha se ngjarja shërben si një moment reflektimi dhe falënderimi për partneritetin strategjik me SHBA-në, një marrëdhënie që bazohet në vlera të përbashkëta, besim dhe respekt reciprok.
Sipas njoftimit, këtë vit raportet bilaterale Kosovë–SHBA janë thelluar përmes disa hapave të rëndësishëm:
-
vendimit për 0% tarifa për mallrat amerikane,
-
arritjes së marrëveshjes për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta,
-
si dhe prokurimeve të reja në mbrojtje, përfshirë sisteme të avancuara amerikane.
Qeveria e Kosovës e konsideron këtë partneritet “shtyllë të palëkundur të sigurisë dhe zhvillimit”.

