Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim me asambleistët më të votuar nga mërgata, të cilët, sipas tij, kanë bërë të mundur që për herë të parë LDK të dalë forca e parë nga vota e bashkatdhetarëve jashtë vendit.
Abdixhiku e quajti këtë një moment historik për partinë, duke e cilësuar mbështetjen e diasporës si mesazh të qartë politik për drejtimin që duhet të marrë Kosova.
“Ky është moment historik për LDK-në dhe një mesazh i qartë nga mërgata jonë,” shkroi ai, duke shtuar se vota e bashkatdhetarëve po bëhet përcaktuese në garën e 28 dhjetorit.
Thirrje për regjistrim: Betejë me kohën
Në takim, kreu i LDK-së ka ripërsëritur thirrjen për regjistrim të votuesve jashtë vendit, teksa afati ligjor po afrohet.
“Kemi edhe 9 ditë kohë. Çdo ditë vlen dhe çdo votë përcakton të ardhmen e atdheut tonë,” theksoi Abdixhiku.
Ai sqaroi se bashkatdhetarët që do të vijnë në Kosovë gjatë fundvitit për të votuar, nuk kanë nevojë të regjistrohen paraprakisht.
“Ju presim këtu, në votë dhe në festë!”, ka shkruar ai, duke shprehur besimin se mobilizimi i mërgatës do të jetë vendimtar për rezultatin final të zgjedhjeve.

