Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit me mikpritje të ngrohtë gjatë vizitës së saj në Shkodër, ku u takua me kryetarin Benet Beci, vetëm pak ditë para festës së 28 Nëntorit. Osmani e quajti qytetin verior “djep të traditës, besës dhe qëndresës shqiptare”, duke theksuar simbolikën e veçantë të vizitës në prag të Ditës së Flamurit.
“Kënaqësi që Shkodrën ta vizitojmë në prag të 28 Nëntorit, ditës që i bashkon në një zemër të vetme të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Shkodra i ka dhënë kaq shumë kombit shqiptar dhe ka qëndruar gjithmonë si djep i identitetit tonë kombëtar,” tha Presidentja Osmani.
Vizita u zhvillua në atmosferë festive teksa qyteti përgatitet për një nga datat më të shënuara të kombit, ndërsa mesazhi i Presidentes u pa si një afirmim i fortë i lidhjes kulturore e historike mes Kosovës dhe qytetit simbol të kulturës shqiptare.

