Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh të gjatë dhe simbolik me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si nyjën më të fortë historike që lidh fatin e kombit shqiptar ndër shekuj.
Kurti tha se nuk ekziston një shembull tjetër në botë ku një datë e vetme të jetë ngulur kaq thellë në identitetin kombëtar, sa 28 Nëntori tek shqiptarët.
Ai rikujtoi se rrugëtimi nisi më 1443, kur Flamuri i Kastriotëve u ngrit mbi Kështjellën e Krujës, një akt që ai e quajti “aksident historik që u kthye në shenjë të shenjtë të kalendarit tonë”.
Kurti theksoi se shekuj më vonë, më 28 nëntor 1912, flamuri shqiptar u ngrit sërish në Vlorë – moment që ai e quajti “Nëntori i Dytë”, duke sjellë në kujtesë edhe vizionin e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar dhe të pandarë.
Ai citoi edhe Luigj Gurakuqin, i cili në vitin 1913 përshkruante pavarësinë si “një send të paçmueshëm, të pashpresuar”, të lindur mes trazirash e vuajtjesh.
Kurti vazhdoi rrëfimin historik duke përmendur edhe 28 Nëntorin 1955 – ditëlindjen e Adem Jasharit – dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, që sipas tij, dëshmoi se populli shqiptar ishte gati për çdo flijim për liri.
Në mesazhin e tij, kryeministri në detyrë tha se historia e shqiptarëve ende nuk ka mbaruar dhe se si komb, duhet synuar “Nëntorin e Tretë” – një moment të ri historik që do të përmbushte amanetin e të gjithë atdhetarëve.
“Edhe nëse nuk bie në këtë datë, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë,” shkroi Kurti, duke nënvizuar se ardhja e asaj dite varet nga përkushtimi i vetë shqiptarëve.
Në fund të fjalës së tij, Kurti uroi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen:
“Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”

