Shtetet e Bashkuara po thellojnë presionin mbi regjimin e Nicolás Maduros, duke forcuar praninë ushtarake në Karaibe dhe duke siguruar dy baza të reja në Republikën Dominikane. Lëvizja e fundit u konfirmua nga presidenti dominikan Luis Abinader, i cili ka vënë në dispozicion bazën ushtarake të San Isidros dhe një sektor të aeroportit ndërkombëtar të Santo Domingos për ushtrinë amerikane.
Kjo vjen në kuadër të operacionit “Southern Spear”, i cili po shtrihet me shpejtësi në rajon. Trupa amerikane janë vendosur tashmë në Trinidad e Tobago dhe Salvador, ndërsa zemra e operacionit mbetet në Porto Riko, ku avionët e ngarkesave ushtarake zbarkojnë pandërprerë. Rrethimi ndaj Karakasit po shtrëngohet me shfaqje të vazhdueshme force: avionë F-18 Hornet, F-35 dhe bombardues strategjikë B-52 patrullojnë përditë pranë bregdetit venezuelan, ndërsa marinsat simulojnë zbarkime amfibe dhe goditje ndaj dronëve sulmues.
Në këtë klimë tensioni, SHBA ka njohur kartelin venezuelan “Los Soles” si organizatë terroriste, duke hapur rrugë ligjore për ndërhyrje të mëtejshme. Washingtoni ka akuzuar prej vitesh Maduron se është i lidhur me këtë klan të fuqishëm të narkotrafikut, i cili dyshohet se mbrohet nga struktura të ushtrisë venezuelane. Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se njohja e kartelit si terroristik i jep presidentit “më shumë opsione për të mos lejuar hemisferën tonë të bjerë në duart e narkoterroristëve”.
Megjithëse fuqia ushtarake e grumbulluar është mbresëlënëse — një aeroplanmbajtëse, dhjetëra avionë luftarakë, fregata, dy anije amfibe, trupa specialiste dhe mbi 200 raketa cruise — ekspertët vlerësojnë se kjo forcë nuk është mjaftueshëm e madhe për një pushtim tokësor. Kjo ngre pikëpyetje mbi synimet e vërteta të Washingtonit: kërkon rrëzim të regjimit apo thjesht një demonstrim force për të nxitur një kryengritje të brendshme?
Një pjesë e analistëve mendojnë se SHBA mund të synojë ndezjen e një rebelimi të ushtrisë venezuelane, të cilin do ta mbështesnin nga ajri me goditje të shpejta dhe precize. Liderja e opozitës Maria Corina Machado, nga mërgimi, u ka bërë thirrje oficerëve të mos i binden Maduros, duke deklaruar se “momenti vendimtar është afër”.
Kjo është arsyeja pse Maduro po fortifikon kryeqytetin dhe po përqendron njësitë më të besuara në Karakas. Regjimi mbështetet gjithnjë e më shumë në dronë sulmues të prodhuar sipas modelit iranian, që tashmë përdoren edhe nga Houthi-t në Detin e Kuq dhe nga Rusia në Ukrainë.
Moska ka dërguar gjithashtu rreth 120 këshilltarë ushtarakë për të trajnuar forcat venezuelane, nën drejtimin e gjeneralit rus Oleg Makarevich, një emër i rëndësishëm në pushtimin e Ukrainës. Ata po përgatisin ushtrinë për skenarin më të keq: një sulm amerikan të kombinuar me një kryengritje të brendshme.
Për momentin, SHBA ka goditur vetëm objektiva të lidhura me trafikun e drogës. Deri më 17 nëntor, dronët Reaper kishin shkatërruar 21 anije, duke vrarë 82 persona të konsideruar “narkoterroristë”.
Ndërkohë, një dorëheqje e pazakontë ka ngritur dyshime: gjenerali Alvin Holsey, komandanti i Komandës Jugore, u largua pa shpjegime, duke shtuar misterin mbi lëvizjet aktuale dhe planet e Shtëpisë së Bardhë ndaj Venezuelës.

