Rusia ka miratuar buxhetin më të madh ushtarak që nga koha e Bashkimit Sovjetik, në një sinjal të qartë se Vladimir Putin nuk ka ndërmend të ngadalësojë makinerinë e luftës, pikërisht në prag të raundit më të ri të përpjekjeve diplomatike për “planin e paqes” të propozuar nga administrata amerikane.
Sipas projektbuxhetit të ri të miratuar nga Kremlini për vitin 2026 dhe tre vitet në vijim, 16.84 trilionë rubla (rreth 188 miliardë euro) do të derdhën për sektorin ushtarak dhe atë të sigurisë — plot 38% të shpenzimeve totale publike. Nga këto, 12.93 trilionë rubla (146.6 miliardë euro) shkojnë drejtpërdrejt për armatime dhe pajisje luftarake. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të riarmatimit që nga periudha sovjetike.
Ndërkohë, shpenzimet sociale bien në 25.1%, përqindja më e ulët në dy dekada, duke detyruar qeverinë të rrisë TVSH-në nga 20% në 22% dhe të vendosë një “taksë teknologjie” të re ndaj pajisjeve elektronike. Por Putini nuk shqetësohet — prioritet mbetet lufta.
Kremlini feston krizën politike në Kiev: “Paratë e Evropës u zhdukën në korrupsion”
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka shfrytëzuar momentin e brishtë politik në Ukrainë — sidomos dorëheqjen e shefit të kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak — për të sulmuar Kievin me akuza për korrupsion.
“Paratë që amerikanët dhe evropianët dhanë për luftën kanë përfunduar në xhepa të tjerë”, tha Peskov, duke kërkuar haptazi të mbjellë dyshime dhe përçarje mes aleatëve perëndimorë të Ukrainës.
Në Moskë, financieri Kirill Dmitriev e ironizoi dorëheqjen e Yermak me frazën sarkastike:
“Ali Baba dha dorëheqjen, mbetën 40 hajdutët.”
Diplomacia e Trump lëviz: Witkoff vjen në Moskë me draftin e rishikuar të paqes
Përpjekjet diplomatike ndërkohë po nxehen. I dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff pritet të mbërrijë “në gjysmën e parë të javës së ardhshme” në Moskë për t’i dorëzuar personalisht Putinit versionin e ri të planit të paqes, i rafinuar pak ditë më parë në Florida me delegacionin ukrainas.
Vizita vjen pas një turi diplomatik intensiv që përfshin takime me:
-
kryeministrin hungarez Viktor Orbán,
-
delegacionin ukrainas të Rustem Umerov,
-
dhe së shpejti, me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, që pritet në Moskë të hënën ose të martën.
Më 4 dhjetor, Putini udhëton në New Delhi për t’u takuar me kryeministrin indian Narendra Modi, ndërsa SHBA ka paralajmëruar sanksione dytësore nëse India dhe Kina nuk ulin importet e energjisë ruse.
Putini skeptik ndaj planit të paqes – prioriteti i tij është ekonomia ruse
Nga Bishkeku, Putin u shpreh i ftohtë ndaj draftit të ri ukrainas dhe madje skeptik edhe ndaj variantit fillestar amerikan, ndonëse ai përfshinte propozime të afërta me qëndrimet ruse.
Sipas Wall Street Journal, arsyeja e vërtetë mund të jetë ekonomia:
planit amerikan me 28 pika i jep përparësi nxjerrjes së Rusisë nga kriza ekonomike, jo paqes.
Ka sinjale se oligarkët më të afërt të Putinit — nga Gennady Timchenko te vëllezërit Rotenberg — kanë dërguar në mënyrë sekrete përfaqësues për të diskutuar me kompani amerikane për marrëveshje në sektorin e metaleve të rralla, energjisë dhe madje rindërtimin e Nord Stream-it.
Zelensky optimist: “Diplomacia s’ka ndalur”
Pavarësisht goditjeve politike dhe presionit rus, Zelensky mbetet i vendosur:
“Dialogu i bazuar në pikat e Gjenevës do të vazhdojë. Diplomacia është aktive.”
Të dielën ai pritet të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, teksa Ukraina kërkon të ruajë unitetin e aleatëve përballë ofensivës diplomatike dhe ushtarake ruse.

