Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Vetëvendosjes, të cilat i quajti propagandë të lodhur dhe tentativë për të mbuluar dështimet qeveritare. Në një tubim në Prizren, ai iu drejtua publikisht Anton Qunit – komandant i Koshares – duke sfiduar narrativën e VV-së se LDK “po rikthen Serbinë”.
“A po don me e kthy ti Serbinë në Kosovë, Anton?”, tha Abdixhiku, duke e përdorur këtë pyetje si goditjen kryesore ndaj qeverisë.
“VV ka 6 vite në pushtet, rezultatet katastrofale”
Abdixhiku akuzoi qeverinë se ka sjellë:
-
rritje të çmimeve,
-
shtrenjtim të rrymës,
-
miliona euro fitime për oligarkun serb Vuk Hamoviq nga importi i energjisë,
-
ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të larta ndonjëherë.
Ai tha se qeveria po i maskon këto skandale me patriotizëm të rremë dhe sulme politike ndaj LDK-së.
“Të vërtetën e tregojnë letrat e ofertave, jo sharjet”
Kreu i LDK-së tha se ndërkohë që VV ofendon në publik, në prapaskenë “luten për koalicion”.
“Nëse po doni kaq shumë me LDK-në, votoni LDK-në.
Të vërtetën e kanë te ofertat që na i dërgojnë pas darke”, u shpreh ai, duke nënvizuar se LDK është parti shtetformuese.
“Me Anton Qunin në krah, me çfarë fytyre thoni se duam me kthy Serbinë?”
Abdixhiku i quajti të turpshme akuzat ndaj figurave që kanë luftuar për vendin.
“E kam në të majtë Anton Qunin, luftëtar të Koshares.
Në të djathtë aktivistët tanë më të zotët.
Edhe neve na thoni se duam me kthy Serbinë?”
Ai theksoi se LDK nuk merret me bllokada institucionale dhe krizë të përhershme, por me vizion të qartë për zhvillimin e shtetit.
“Kjo është gjuha e mbetur e VV-së – tradhtarë e patriotë”
“VV s’ka çka i tregon popullit për 2025 e 2026, prandaj shpik armiq imagjinarë. Kur s’ju funksionon narrativa e frikës, në darkë thonë: ‘Hajde bëhuni me neve’.”
Mesazhi final i Abdixhikut
“Populli i Kosovës pret nga LDK-ja.
Nëse doni shtet, votoni LDK-në.
Ne e ndërtojmë Republikën, jo e rrënojmë.”

