Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër në Facebook pas dështimit të disa prej votimeve kyçe në Kuvend, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të bllokojë shtetin dhe të lërë qytetarët pa paga.
Në një postim të publikuar para pak orësh, Murati i numëroi të gjitha pikat që, sipas tij, opozita ka refuzuar t’i votojë pa pasur asnjë kundërshtim substancial ndaj përmbajtjes:
– 4 miliardë euro buxhet për vitin 2026
– 1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare
– Buxhetin e tri komunave për vitin 2025
– Buxhetin e RTK-së
Sipas ministrit, motivi i vetëm i opozitës ishte kalkulimi politik.
“Nuk i votuan, jo se kishin ndonjë kundërshtim me përmbajtjen, por sepse menduan që duke e bllokuar shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga, faji do t’i mbetej Albin Kurtit”, shkroi Murati në Facebook.
Ai paralajmëroi se qytetarët nuk do ta harrojnë këtë veprim dhe se përgjigjja do të vijë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Qytetarët do ta mbajnë mend këtë veprim destruktiv të partive opozitare dhe do t’ua tregojnë vendin me votë më 28 dhjetor”, përfundoi Murati.
Reagimi i ministrit vjen në një atmosferë të tensionuar politike, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, ku çështjet buxhetore dhe bllokada parlamentare janë kthyer në temë të nxehtë të fushatës.

