Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan një raund të ri bisedimesh për përfundimin e luftës në Ukrainë, me Yuri Ushakov – ndihmës i lartë i Vladimir Putinit – që i quajti bisedimet pesë-orëshe “të dobishme, konstruktive dhe substanciale”. Megjithatë, ai pranoi se pavarësisht tonit pozitiv, palët mbeten larg marrëveshjes, sepse ende nuk është gjetur kompromisi për çështjen kyçe: territorin.
“Deri më tani nuk është gjetur kompromis për territorin, pa të cilin nuk mund të ketë zgjidhje për krizën”, tha Ushakov, duke shtuar se puna do të vazhdojë në të dyja kryeqytetet dhe kontaktet nuk do të ndërpriten. Sipas tij, disa propozime amerikane duken “të pranueshme”, ndërsa disa të tjera janë të papërshtatshme për Moskën.
Takimi i fundit vjen pasi Presidenti Putin priti në Kremlin të dërguarin e Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e tij Jared Kushner, në kuadër të përpjekjeve të reja të Uashingtonit për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje. Palët e kanë mbajtur të fshehtë përmbajtjen e draftit.
Ndërkohë, presidenti rus akuzoi Bashkimin Evropian për sabotimin e përpjekjeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-të. “Evropianët nuk kanë axhendë paqeje; ata janë në anën e luftës”, tha Putin, duke pretenduar se BE-ja po ndryshon propozimet amerikane me kërkesa “absolutisht të papranueshme për Rusinë”.
Ai përsëriti se Moska nuk planifikon sulm ndaj Evropës, por paralajmëroi se Rusia është “gati menjëherë” nëse Evropa nis një luftë.
Këto zhvillime vijnë pasi delegacioni ukrainas – tashmë i udhëhequr nga Rustem Umerov pas dorëheqjes së Andriy Yermak në mes të një skandali të madh korrupsioni – zhvilloi bisedime në Florida me zyrtarë amerikanë. Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i quajti ato bisedime “përparim të kujdesshëm”.
Nga Kievi, Presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi se po pret raportet e shpejta nga negociatorët amerikanë në Moskë për të kuptuar nëse procesi mund të ecë para.
Lufta po i afrohet vitit të katërt, ndërsa diplomacia ndërkombëtare hyn në një fazë kritike, me presion të madh për një formulë paqeje që deri tani mbetet e mjegullt.

