Uashingtoni praktikisht e ndaloi furnizimin me armë për Ukrainën gjatë verës, duke ua lënë barrën evropianëve që të blejnë pajisje nga SHBA-të dhe t’i dhurojnë vetë. Deri tani, aleatët kanë paguar miliona euro çdo muaj për ta mbajtur Ukrainën të armatosur.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të mërkurën se vendet aleate pritet të arrijnë 5 miliardë dollarë (4.3 miliardë euro) angazhime deri në fund të vitit në kuadër të programit PURL – një iniciativë që koordinon blerjen e armëve amerikane për nevojat urgjente të Ukrainës.
Programi u lansua në korrik, pasi administrata Trump reduktoi në mënyrë drastike dërgesat e pajisjeve ushtarake në Kiev. Më shumë se 20 shtete aleate tashmë kanë kontribuar.
Këtë javë, pesë vende njoftuan zotime të reja:
-
Kanadaja: 171 milionë euro
-
Holanda: 214 milionë euro
-
Norvegjia, Polonia dhe Gjermania: gjithsej 429 milionë euro
Australia dhe Zelanda e Re janë gjithashtu bashkuar në program, pavarësisht se nuk janë anëtare të NATO-s.
Rutte tha se vetëm “një grusht shtetesh” nuk kanë bërë ende angazhime – mes tyre Italia dhe Franca, e cila preferon të dhurojë pajisje evropiane, jo amerikane.
Por në disa kryeqytete ka nisur pakënaqësia. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, kërkoi ndarje më të drejtë të barrës:
“Situata nuk mund të mbetet mbi supet e vendeve nordike, baltike, Gjermanisë e Polonisë.”
Sipas vlerësimeve, Ukrainës i nevojiten të paktën 83 miliardë euro për t’i mbuluar kërkesat ushtarake gjatë dy viteve të ardhshme. Evropianët pritet të mbajnë peshën kryesore të financimit.
Rutte paralajmëroi se angazhimet e PURL pritet të vazhdojnë me ritëm prej 1 miliard dollarësh në muaj deri në fund të vitit 2026, ose rreth 15 miliardë dollarë vetëm për vitin e ardhshëm.

