Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Sekretaren e re të Përgjithshme të CEFTA-s, Pranvera Kastratin, e zgjedhur këtë vit pas një bllokade dyvjeçare. Takimi u mbajt në përmbyllje të “Javës së CEFTA-s”, që u zhvillua në Prishtinë, ku Kosova finalizoi një vit të parë të suksesshëm të përfaqësimit të drejtpërdrejtë dhe udhëheqjes së këtij procesi rajonal të bashkëpunimit tregtar.
Gjatë takimeve të 1, 2 dhe 3 dhjetorit, nën kryesimin e Kosovës përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u miratuan katër vendime të rëndësishme, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të vendimeve të këtij viti – një dëshmi e efikasitetit të Kosovës në drejtimin rajonal dhe e angazhimit të saj për integrim evropian, bashkëpunim tregtar dhe lehtësim të procedurave.
Vendimet adresojnë fusha kyçe si lehtësimi i tregtisë, standardizimi, digjitalizimi dhe rritja e sigurisë ushqimore e doganore në nivel rajonal.
Kurti vlerësoi veçanërisht zgjedhjen e Pranvera Kastratit, shqiptarja e parë që udhëheq CEFTA-n që nga themelimi i saj në vitin 2006. Ai theksoi se ky emërim u arrit gjatë presidencës së Kosovës dhe përbën një dëshmi të aftësisë së vendit për të tejkaluar bllokadat dhe ndërtuar konsensus mes vendeve të rajonit.
Në mbyllje të aktivitetit u krye edhe dorëzimi zyrtar i presidencës së CEFTA-s: Ministrja kosovare e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ia dorëzoi udhëheqjen Delina Ibrahimajt, ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, e cila do të drejtojë procesin gjatë vitit 2026.
Kosova i ka uruar Shqipërisë suksese në mandatin e ri dhe ka ofruar bashkëpunim të plotë në vazhdim.

