Në një kohë kur aktiviteti rus në Atlantikun e Veriut po rritet me ritme të frikshme, Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë shpallur një marrëveshje të re historike për të mbrojtur infrastrukturën më të brishtë dhe më të rëndësishme të Evropës: kabllot nënujore, të cilat mbajnë mbi 95% të komunikimit global dhe qindra miliarda euro tranzaksione financiare çdo ditë.
Ky partneritet i ri, i konfirmuar në Londër nga ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve, do të vendosë një flotë të përbashkët prej të paktën 13 anijesh luftarake, të cilat do të patrullojnë krahun verior të NATO-s, duke “gjuajtur nëndetëset ruse” dhe duke mbrojtur rrjetin jetik të kabllove nën det.
Një epokë e re kërcënimesh – dhe aleancash
“Në këtë epokë të re kërcënimi, forca jonë vjen nga aleancat e forta”, tha Sekretari britanik i Mbrojtjes John Healey, duke nënvizuar se përplasja me Rusinë ka hyrë në një fazë krejt të re – jo më vetëm në Ukrainë, por në detet dhe qiejt që lidhin Evropën.
Norvegjia, e cila nënshkroi në gusht një marrëveshje 10 miliardë funtëshe për blerjen e pesë fregatave britanike, do t’i bashkojë ato me tetë anijet britanike në një operacion të integruar detar dhe ajror. Britania, nga ana tjetër, pranoi të pajisë flotën e saj sipërfaqësore me raketa norvegjeze – një sinjal i qartë se të dyja vendet po e shohin veten si një front i vetëm në veri të NATO-s.
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe ai norvegjez Jonas Gahr Støre pritet t’i intensifikojnë planet gjatë vizitave në bazën e RAF Lossiemouth, ku pilotët britanikë dhe norvegjezë tashmë monitorojnë anijet ruse.
Ndërkohë, aktiviteti detar rus rreth ujërave të Mbretërisë së Bashkuar është rritur me 30% në dy vitet e fundit, duke ngritur alarm për një fushatë të koordinuar të Moskës kundër infrastrukturës kritike.
Kabllot nënujore – pika më e dobët e Evropës
Sipas NATO-s, sulmet dhe ndërhyrjet ndaj kabllove nënujore në Evropë janë bërë “kërcënimi më aktiv” për sigurinë e Perëndimit.
James Appathurai, shef i NATO-s për inovacionin hibrid dhe kibernetik, paralajmëroi se Rusia ka ngritur një program të tërë të maskuar si “kërkime nënujore”, i cili në realitet është një operacion paraushtarak i specializuar për sabotim.
“Rusët po hartëzojnë të gjitha kabllot dhe tubacionet energjetike. Kanë anije ‘kërkimore’, nëndetëse të vogla, drone nënujore, zhytës dhe eksplozivë”, tha Appathurai.
Një sërë incidentesh kohët e fundit në Detin Baltik – ku kabllo komunikimi midis Suedisë, Lituanisë, Gjermanisë dhe Finlandës u dëmtuan brenda disa ditësh – kanë ngritur dyshime serioze se Moska po përgatit një fazë të re të luftës hibride kundër Evropës.
Një sinjal i ashpër për Putinin
Britania dhe Norvegjia po dërgojnë një mesazh të qartë: nëse Rusia tenton të godasë kabllot nënujore, përgjigjja nuk do të jetë vetëm teknike – por ushtarake.
Në një botë ku lufta nuk zhvillohet më vetëm me tanke e raketa, por me kabllo, serverë dhe energji, fronti veri-atlantik po shndërrohet në vijën e parë të betejës për sigurinë e Evropës.
Dhe Londra, duke shtrënguar duart me Oslon, po rikthen rolin e vet si garant i mbrojtjes së Atlantikut.

