Nisma Socialdemokrate do të hyjë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Këtë e konfirmoi kryetari Fatmir Limaj në Debat Plus, duke thënë se ky ka qenë “opsioni i fundit”, por i pashmangshëm për shkak të rrethanave politike dhe kohës së shkurtër deri te zgjedhjet.
Limaj sqaroi se ka pasur diskutime serioze me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por se elektoratet e ndryshme dhe pamundësia për t’i kapërcyer barrierat e së kaluarës e bënë të pamundur një koalicion parazgjedhor.
“NISMA dhe LDK kanë dy elektorate të ndryshme. Koha ishte shumë e shkurtër dhe nuk mund t’i thyem barrierat e së kaluarës. Nuk do të mund të jepnim kontribut të duhur në atë koalicion,” tha Limaj, duke shtuar se mund të ketë bashkëpunim paszgjedhor.
Megjithatë, kreu i NISMËS la të hapur bashkëpunimin me çdo subjekt për çështjet nacionale:
“Kushdo që më fton për tema të shtetit, jam gjithmonë i gatshëm.”
“Me PDK-në? Mjafton një minutë!”
Limaj, një nga figurat themeluese të PDK-së, zbuloi se bashkëpunimi me këtë parti është i natyrshëm dhe se elektoratet janë pothuajse identike.
“Për të ndërtuar diçka të përbashkët me PDK-në, na duhet vetëm një minutë – nëse ka vullnet. Elektorati është i njëjtë, brumi është i njëjtë,” theksoi ai.
Sipas Limajt, ekziston një disponim i madh në terren për afrim midis NISMËS dhe PDK-së, por deri tani mungon vendosmëria politike për ta formalizuar këtë bashkim.
NISMA në garë e vetme – por jo e izoluar
Limaj konfirmoi qartë: Nisma Socialdemokrate garon e vetme më 28 dhjetor. Por, krahas kësaj, ai la të hapura të gjitha dyert për koalicione paszgjedhore dhe bashkëpunim në çështjet madhore të vendit.
“Jam i gatshëm të ulem me këdo kur është fjala për interesin e Kosovës,” tha ai.
Në një skenë politike të trazuar dhe me afate të shkurtra, Limaj pozicionon NISMËN si forcë të pavarur në garë – por të hapur për aleanca strategjike pas zgjedhjeve.

