Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) zhvillohet sot seanca paraprake për Ilir Metën, ku pritet të vendoset nëse dosja ndaj kreut të Partisë së Lirisë do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Në seancën e kaluar, Meta u paraqit vetë në gjykatë, por seanca u shty pasi ai kërkoi kohë për t’u njohur me një pjesë të akteve, duke pretenduar se në dispozicion i ishte vënë vetëm kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka deklaruar se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore. Dy ditë më parë, njësoj si kryebashkiaku Veliaj, edhe Meta kërkoi të mos qëndrojë në kafazin e sigurisë në sallën e gjyqit, duke e konsideruar atë si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.
Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, është paralajmëruar se nëse gjykata nuk pranon heqjen e kafazit, Meta dhe mbrojtja e tij nuk do të marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Sot pritet një nga vendimmarrjet kyçe të kësaj dosjeje të bujshme, që mund ta çojë Metën në proces të plotë gjyqësor — ose ta rikthejë dosjen në duart e SPAK për hetime të tjera.

