Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është nominuar sot nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë si kandidat për kryeministër dhe bartës i listës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në të njëjtën mbledhje, AAK miratoi edhe listën me 110 kandidatë për deputetë, të përzgjedhur sipas përfaqësimit rajonal, profesional dhe gjinor.
Për këtë garë, Aleanca ka prezantuar sloganin zgjedhor “Krah Teje”, si dhe programin politik të ndërtuar mbi tri shtylla themelore:
– qëndrueshmëria dhe trashëgimia,
– mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik,
– siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Premtime për rritje ekonomike dhe buxhet më të madh
Sipas Haradinajt, kombinimi i lidershipit politik, listës gjithëpërfshirëse dhe programit ekonomik përbën themelet e ofertës së AAK-së për mandatin e ardhshëm.
Programi parasheh:
-
Rritje ekonomike vjetore prej 7%,
-
Rritje të GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit,
-
Zgjerim të buxhetit nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025, në 4 miliardë në 2026 dhe deri në 6.1 miliardë euro në vitin 2029.
Haradinaj ka deklaruar se kjo qasje buxhetore garanton stabilitet financiar dhe mundëson rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve.
Qysh në vitin 2026, pagat dhe pensionet pritet të shënojnë një rritje prej 31%, duke arritur:
-
Pagë mesatare: 1,100 euro,
-
Pension mesatar: 500 euro, varësisht nga kategoritë.
Pagat dhe pensionet, sipas programit, do të indeksohen çdo vit në raport me zhvillimin ekonomik dhe inflacionin.
Investime kapitale dhe orientim perëndimor
Investimet kapitale, të cilat AAK i konsideron motor të rritjes ekonomike, sipas planit do të rriten:
-
61% në vitin e parë të mandatit,
-
Deri në 240% në vitin 2029.
Partia e Haradinajt hyn në zgjedhje me theks të veçantë te integrimi euro-atlantik, rikthimi i normalitetit institucional dhe ringjallja e partneritetit strategjik me SHBA-në.
“AAK në zgjedhje niset ‘Krah Teje’ – për zhvillim, mirëqenie, siguri dhe Kosovën tonë të përbashkët”, u shpreh Haradinaj, duke falënderuar strukturat e partisë për besimin.

