Abelard Tahiri ka njoftuar sot se i ka kërkuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të mos e përfshijë në dhjetëshen e parë të listës garuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndonëse do të mbetet pjesë e listës së kandidatëve për deputet.
Tahiri tha se ky vendim vjen si reflektim personal dhe bindje se është momenti t’i jepet më shumë hapësirë brezit të ri brenda partisë.
“Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi. Ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët tanë të rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm,” shkroi ai.
Në postimin e tij, Tahiri përmendi funksionet e shumta që ka mbajtur ndër vite: 9 vite këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë, si dhe 5 vite Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, detyrë në të cilën është emëruar dy herë.
Ai tha se mbetet i përkushtuar ndaj projektit të PDK-së dhe fitores së kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
“Na priftë e mbara me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Bedri Hamzën!”, përfundoi Tahiri.

