Nait Hasani ka dalë publikisht me një kërkesë të drejtpërdrejtë për kreun e PDK-së, Bedri Hamza: të hapë dyert e partisë dhe të pranojë shkrirjen e subjektit të udhëhequr nga Fatmir Limaj.
Në një postim në Facebook, Hasani tha se ky bashkim nuk është vetëm lëvizje politike, por kërkesë e vetë elektoratit të PDK-së – nga ish-ushtarët, nga qytetarët e deri te simpatizantët që kërkojnë forcim të spektrit të djathtë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Me PDK-në e bashkuar Kosova mundet më mirë. Në dorën tënde është bashkimi dhe fitorja më 28 dhjetor, Bedri Hamza”, shkroi Hasani.
Ai i bëri thirrje kreut të partisë që të përdorë autoritetin dhe përgjegjësitë e tij politike për të miratuar pranimin e Fatmir Limajt dhe strukturave të tij në PDK, duke e quajtur një hap të domosdoshëm që e kërkojnë rrethanat politike të momentit.
“Bashkimin e kërkon koha. Sot po e kërkojnë ushtarët, qytetarët dhe elektorati i PDK-së. Bashkimi bën fuqi”, theksoi ai, duke i bërë thirrje Hamzës që “të marrë hapin me frymën e unitetit”.
Hasani shtoi se beson se një PDK e bashkuar do të jetë më e fortë për të përballuar sfidat që e presin vendin dhe për të siguruar fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në fund të postimit, ai publikoi edhe një fotografi të shkrepur në Kleçkë, duke e quajtur vend simbol të unitetit dhe të fitoreve të mëdha të luftës.
“Këtu na ka bashkuar lufta për liri. Këtu janë arritur fitore të mëdha për Kosovën”, shkroi Hasani, duke e përdorur imazhin si mesazh për bashkim politik edhe në kohë paqeje.
Thirrja e Hasanit vjen në një moment të rëndësishëm për PDK-në, vetëm pak javë para zgjedhjeve, ndërsa në skenën politike po flitet gjithnjë e më shumë për opsione unifikimi brenda krahut të vjetër të luftës.

