Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dhënë sot sinjalin e qartë se partia ka hyrë zyrtarisht në fazën e mobilizimit të plotë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një postim të shkurtër, por me ton të vendosur, Hamza tha se lista zgjedhore, ekipi dhe energjia që i duhet PDK-së për fitore janë tashmë të kompletuara.
“Gjithçka është gati: lista, ekipi dhe energjia pozitive. Mobilizimi për fitore ka nisur. PDK është gati!”, shkroi ai.
Mesazhi i Hamzës vjen vetëm pak ditë pasi në opinion ka qarkulluar debati për riorganizimin e brendshëm të PDK-së dhe përfshirjen e figurave të reja e të vjetra në listën zgjedhore. Me këtë deklaratë, ai sinjalizon unitet, qartësi dhe gatishmëri për garën e fundvitit.
PDK pritet të prezantojë programin dhe platformën zgjedhore në ditët në vijim, ndërsa fushata de facto ka marrë vrull, me strukturat e partisë duke u mobilizuar nëpër komuna për finalizimin e organizimit elektoral.

