Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit, një perlë e rrallë e etnografisë shqiptare, ka nisur zyrtarisht udhëtimin e saj drejt listimit në UNESCO. Kjo nismë e guximshme po udhëhiqet nga Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” në Prizren, e cila ka filluar mbledhjen e materialeve dhe dëshmive që argumentojnë unikësinë dhe vlerën e kësaj veshjeje shekullore.
Haziz Hodaj, kryetar i SHKA “Malësori”, thotë se ky proces është më shumë se një ambicie kulturore — është përpjekje për ta vendosur Hasin në hartën ndërkombëtare të trashëgimisë shpirtërore.
“Kjo do të ishte kulminacioni i angazhimit tonë. Pse jo? Veshja hasjane e meriton një kënd në UNESCO,” shprehet ai.
Sfida e madhe: Kosova jashtë UNESCO-s, ndihma pritet nga Shqipëria
Rruga nuk është aspak e lehtë. Kosova, si shtet që ende nuk është pjesë e UNESCO-s, nuk mund të aplikojë vetë. Për këtë arsye, nismëtarët presin të njëjtin kontribut nga Shqipëria, ashtu si në rastet kur veglat muzikore tradicionale të Kosovës u regjistruan si pasuri botërore.
Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, e sheh këtë bashkëpunim si të domosdoshëm:
“Republika e Shqipërisë disa herë ka luajtur rol të veçantë në këto procese. Edhe kjo nismë ka nevojë për të njëjtën mbështetje,” thekson ai.
Veshja që flet me ngjyra, simbole dhe histori
Veshja tradicionale e Hasit, e njohur veçanërisht për kollanin e grave, është ndër më specifiket në Kosovë. Qëndisjet gjeometrike, zoomorfe, floreale e kozmike tregojnë botëkuptimin, jetesën dhe identitetin e grave hasjane ndër shekuj. Sipas studiuesve, kjo veshje ka pasur tre funksione kryesore: praktik, ceremonial dhe ritual.
Rabije Hodaj, anëtare e SHKA “Malësori”, e cila e vesh kostumin hasjan që prej vitit 1975, thotë se çdo formë e veshjes bart një histori më vete:
“Varet nga mosha, rasti, puna, gëzimi, mërzia… Edhe kur vinte burri nga kurbeti, kishte veshje të veçantë,” tregon ajo.
Dikur, vajzat hasjane e përgatisnin pajën me disa lloje veshjesh: për ditë pune, festa, dasma, udhëtime e deri për raste mortore. Edhe pse sot ka mbetur vetëm forma festive e kostumit, ajo vazhdon të ruhet si shenjë identiteti dhe krenarie.
Has: një krahinë e ndarë, por një kulturë e pandarë
Hasi, krahinë e moçme etnografike, mbeti e ndarë padrejtësisht: gjysma në Shqipëri, gjysma në Kosovë. Por tradita nuk njohu kufij. Veshja me kollan u ruajt, u trashëgua dhe u bë simbol i rezistencës kulturore.
Këtë pasuri e ka dokumentuar edhe antropologia amerikane Janet Reineck, e cila në vitet ’80 përshkroi jetën, zakonet dhe kostumin unik të grave të Hasit, me gjuhë plot admirim:
“Nga koka te këmbët, çdo pëllëmbë e veshjes ishte një vepër arti. Gratë e Hasit ishin të forta, të punësuara, të bukura në shpirt.”
Hapi i parë ndërkombëtar: Zvicra
Para se veshja të synojë UNESCO-n, ajo po ngjitet në skenën globale. Në një festival ndërkombëtar në Zvicër, krahas kostumeve fizike do të ekspozohen dokumente, dëshmi dhe rrëfime të grave hasjane për teknikat e punimit, simbolikat dhe mënyrat e ruajtjes së traditës.
Ky prezantim shihet si starti ideal i rrugëtimit të veshjes hasjane drejt njohjes botërore. Burimi.report.tv.al

