Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti të shtunën në Izrael për vizitën e tij të parë zyrtare që prej marrjes së detyrës në maj, duke shpërfaqur hapur se mbështetja për Izraelin mbetet një gur themeli i politikës së Berlinit. Që në momentin e zbritjes në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv, Merz e bëri të qartë se marrëdhënia mes dy vendeve do të vazhdojë të jetë strategjike dhe e pandryshueshme.
Me të mbërritur, kancelarin e priti ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sarr, i cili e quajti Merz-in “mik të vërtetë të Izraelit” dhe vuri në dukje rolin e rëndësishëm që Gjermania luan si partner i shtetit hebre. Më vonë, Merz u takua edhe me Presidentin Yitzhak Herzog në Jerusalem.
“E konsideroj një nder të madh të jem këtu dhe të riafirmoj se mbështetja për këtë vend është dhe do të mbetet një parim themelor i politikës gjermane,” tha Merz gjatë takimit me Herzog.
Merz theksoi se vizita e tij po zhvillohet në një periudhë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Ai rikujtoi se sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 e ka forcuar edhe më shumë miqësinë gjermano-izraelite.
“Ju e dini që Gjermania qëndron fort në anën e Izraelit,” u shpreh ai, duke nënvizuar se megjithëse veprimet ushtarake të Izraelit e kanë vënë Berlinin në dilemë – sidomos për shkak të kufizimeve të përkohshme të dërgesave të armëve – mbështetja strategjike e Gjermanisë nuk është vënë kurrë në dyshim.
Lidhur me të ardhmen e Gazës, kancelari gjerman përsëriti se Berlini mbështet fuqishëm përpjekjet ndërkombëtare për paqe.
“Lufta do të përfundojë sapo Hamasi të dorëzojë armët,” deklaroi Merz, duke riafirmuar edhe një herë rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete si rruga e vetme realiste për bashkëjetesë të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Gjatë vizitës së sotme, Merz pritet të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu, disa nga pengjet e liruara nga Hamasi, si dhe të vizitojë memorialin Yad Vashem, simbolin më të fortë të kujtesës së Holokaustit.
Para se të udhëtonte drejt Izraelit, Merz u ndal në Aqaba, ku zhvilloi një takim me Mbretin jordanez Abdullah II. Biseda u përqendrua tek procesi i paqes në Gaza dhe nevoja për të rritur ndihmën humanitare në territorin palestinez.
Sipas agjencisë AFP, Merz ka bërë thirrje për çarmatimin e Hamasit dhe për një rol më të gjerë ndërkombëtar në garantimin e stabilitetit dhe rindërtimit të Gazës.

