Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një paketë të re teknologjike ushtarake të fokusuar në mbrojtjen e infrastrukturës nënujore nga aktiviteti në rritje i nëndetëseve ruse. Ministria e Mbrojtjes ka prezantuar programin Atlantic Bastion, një rrjet i avancuar detar që kombinon inteligjencën artificiale, anijet autonome, nëndetëset dhe avionët për të gjurmuar dhe penguar kërcënimet në ujërat britanike.
Sipas planit, të gjitha platformat detare dhe ajrore do të lidhen përmes një rrjeti akustik zbulimi të mundësuar nga AI, i cili do të krijojë një sistem të integruar shënjestrimi dixhital. Ky rrjet do të lejojë identifikimin dhe reagimin më të shpejtë ndaj çdo lëvizjeje të armikut, sidomos për mbrojtjen e kabllove dhe tubacioneve kritike nënujore, të cilat janë objektiv i njohur i flotës ruse.
Programi vjen pas një serie incidentesh, përfshirë hyrjen e anijes spiune ruse Yantar në ujërat britanike muajin e kaluar, e cila madje përdori lazerë ndaj forcave britanike të sigurisë. Yantar është akuzuar për misione të specializuara në hartëzimin e infrastrukturës nënujore dhe mbledhjen e inteligjencës.
Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, paralajmëroi se Rusia po modernizon flotën e saj me synim të drejtpërdrejtë këto infrastruktura strategjike. Ai theksoi se Atlantic Bastion do të krijojë “një forcë hibride detare të aftë të zbulojë, parandalojë dhe neutralizojë çdo kundërshtar që synon interesat britanike”.
Ministria e Mbrojtjes dhe industria kanë investuar së bashku 14 milionë paund, me 26 kompani britanike dhe evropiane që tashmë kanë dorëzuar propozime për teknologji të reja anti-nëndetëse. Kapacitetet e para pritet të vendosen në det nga viti 2026.
Shefi i Marinës Mbretërore, Gwyn Jenkins, tha në një konferencë ndërkombëtare se Britania po ndërton “një rrjet revolucionar nënujor – më autonom, më elastik dhe më vdekjeprurës”, duke bërë të qartë se marina britanike po e ngrit nivelin në mbrojtjen nënujore përballë kërcënimeve të reja.

