Deputetja Duda Balja ka reaguar ashpër në Facebook, duke goditur partinë boshnjake Vakat për, siç thotë ajo, manipulim të vazhdueshëm me vendet e rezervuara që u takojnë komuniteteve jo–shumicë, veçanërisht boshnjakëve. Sipas Baljës, kandidatura e Ena Kadës në listën e Vakat-it është vetëm vazhdim i të njëjtit model problematik që po i dëmton interesat politike të komunitetit boshnjak në Kosovë.
Balja thekson se vendet e rezervuara janë krijuar për të garantuar përfaqësim autentik të boshnjakëve, por Vakat – në vend që ta mbrojë këtë të drejtë – i shndërron ato në instrument të tregtisë politike. Ajo rikujton se prej vitesh kjo parti po e siguron mandatin e vet përmes votave nga mjedise serbe, shpesh pa asnjë lidhje me komunitetin boshnjak, duke e shtyrë në plan të dytë vullnetin real politik të boshnjakëve.
Balja paralajmëron se situata po përsëritet edhe tani: kandidatë pa lidhje me boshnjakët, të vendosur në lista që pretendojnë t’i përfaqësojnë. Sipas saj, kjo minon vetë kuptimin e vendeve të rezervuara dhe hap derën që interesa të jashtme politike të ndikojnë në mandatin që i takon komunitetit boshnjak.
Ajo ka akuzuar hapur Vakat-in se, për të ruajtur pozitat e veta, është e gatshme ta rrezikojë sërish zërin politik të boshnjakëve dhe ta kthejë këtë mekanizëm përfaqësimi në mjet kalkulimesh personale.
“Ky nuk është sulm ndaj individëve. Është sulm ndaj institucioneve, ndaj të drejtës për përfaqësim legjitim, dhe ndaj dinjitetit të boshnjakëve në Kosovë,” ka theksuar Balja, duke kërkuar reagim të qartë dhe të vendosur nga komuniteti.
Reagimi i saj ngre alarm të fortë për integritetin e sistemit të përfaqësimit të komuniteteve dhe hap debatin për nevojën e kontrollit më të rreptë të mënyrës se si shfrytëzohen vendet e rezervuara në skenën politike kosovare.

