Bombardues amerikanë B-52 me kapacitet bërthamor kanë fluturuar mbi Detin e Japonisë së bashku me avionë luftarakë të Japonisë, në një demonstrim të qartë force pas manovrave të përbashkëta ushtarake Kinë–Rusi.
Ministria japoneze e Mbrojtjes konfirmoi se dy bombarduesit amerikanë u shoqëruan nga tre F-35 dhe tre F-15 japonezë, duke theksuar se Tokio dhe Uashingtoni “riafirmuan vendosmërinë për të penguar çdo tentativë për të ndryshuar status quo-në me forcë”.
Kjo është shfaqja e parë e tillë amerikane që prej fillimit të stërvitjeve kineze në rajon javën e kaluar. Tensione të reja u ndezën pasi bombarduesit rusë dhe kinezë fluturuan së bashku mbi Detin e Kinës Lindore dhe Paqësorin Perëndimor, ndërsa Japonia ngriti në ajër avionët e saj luftarakë pasi pretendoi se ishte shënjestruar me radar nga një transportues avionësh kinez.
SHBA e cilësoi incidentin si “të rrezikshëm” dhe rikujtoi se aleanca me Japoninë mbetet “e palëkundur”.
Gjenerali Hiroaki Uchikura, Shefi i Shtabit të Përbashkët të Japonisë, tha se fluturimi i përbashkët ruso-kinez ishte një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj Tokios dhe “një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare”. Pekini i mohoi akuzat, duke thënë se avionët japonezë kishin rrezikuar operacionet e tyre ajrore.
Tensionet janë shtuar pas komenteve të kryeministres japoneze Sanae Takaichi për mundësinë e reagimit ndaj një sulmi hipotetik kinez në Tajvan. Kina pretendon sovranitet mbi Tajvanin dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë kontrollin, ndërsa Japonia mbështetet në korridoret detare të rajonit për sigurinë dhe ekonominë e saj.

