Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se është i bindur që Partia Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar rikthimin e saj në skenë si “të fuqishëm dhe vendimtar”.
Në intervistën për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Limaj tha se garimi paralel i NISMËS dhe PDK-së ka vetëm një synim: forcimin e boshtit opozitar që synon pushtetin.
“Rikthimi i fuqishëm i Partisë Demokratike… me shpresë që do të na kthehen edhe ata burra në Kosovë, për të shkuar drejt asaj Partisë Demokratike që i fiton zgjedhjet,” u shpreh Limaj.
Ai shtoi se NISMA ishte e gatshme deri në fund që të hynte në një listë të përbashkët me PDK-në, duke theksuar se e ndjen veten politikisht të lidhur me këtë parti.
“Ne me të tjerët mund të ndërtojmë koalicione, por me PDK-në kemi qenë të gatshëm të përfundojmë në listë. Sigla e PDK-së është sigël që ndihem mirë,” tha ai.
Limaj theksoi se kjo nuk është thjesht strategji, por identitet politik i përbashkët.
“Është sjellja ime politike. Është identiteti im politik. Nuk ka distancim programor – është diçka që e kemi ndërtuar bashkë,” shtoi ai.
Me afrimin e zgjedhjeve, deklaratat e Limajt po interpretohen si sinjal i qartë për një bosht të ri opozitar, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në kalkulimet e pas-zgjedhjeve.

