Tensionet rreth planit amerikan për paqen në Ukrainë po rriten, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbejnë mesazhe të forta dhe Uashingtoni shtyn për një marrëveshje që do të ndryshonte hartën gjeopolitike të Evropës.
Presidenti rus Vladimir Putin, në një videokonferencë me komandantët ushtarakë, deklaroi se Rusia ka marrë “plotësisht iniciativën strategjike” në front, duke shtuar se ofensiva në Donetsk, Lugansk, Zaporizhia dhe Kherson “po avancon në mënyrë progresive dhe të qëndrueshme”.
Mesazhi i tij ishte i qartë:
“Do ta marrim me forcë çdo territor që Ukraina nuk pranon ta japë në tavolinë negociatash.”
Putini udhëton sot në Ashgabat për t’u takuar me presidentët Erdogan dhe Pezeshkian, në një moment kur presioni ndërkombëtar mbi Kievin sa vjen e rritet.
Zelensky kundër “pazareve territoriale”: Vetëm populli vendos
Nga Kievi, Volodymyr Zelensky iu përgjigj prerë presionit amerikan dhe këmbënguljes ruse:
“Çdo kompromis mbi territorin duhet të vendoset me votë popullore, me zgjedhje ose referendum.”
Sipas tij, Shtëpia e Bardhë po shtyn për krijimin e një “zone të lirë ekonomike” në pjesën e Donbasit që nuk është pushtuar ende nga Rusia, ndërsa Moska e quan atë zonë “të demilitarizuar”.
Deklarata e Zelenskyt shkaktoi një reagim brutal nga nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, i cili e quajti presidentin ukrainas “klloun” dhe akuzoi SHBA-në se po toleron sjellje që “pengon negociatat”.
Plani amerikan: ushtri e kufizuar, armëpushim vetëm pas marrëveshjes
Versioni më i fundit i planit të SHBA-së, sipas burimeve ukrainase, përfshin:
-
Kufizim të ushtrisë ukrainase në 800,000 trupa
-
Armëpushim vetëm pasi të përmbyllet marrëveshja, jo më herët
-
Kushte për statusin e territoreve në Donbas
Ky formulim shihet në Kiev si përpjekje për të detyruar një kompromis të dhimbshëm.
Lavrov: “Marrëveshjet me SHBA-në janë konfirmuar” – Paralajmërimi i ashpër për Evropën
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se “keqkuptimet me Uashingtonin janë eliminuar” pas takimeve në Alaska, duke lënë të kuptohet për afrim të qëndrimeve mes dy fuqive.
Por toni ndaj Evropës ishte krejt tjetër:
“Vendet evropiane përpiqen të ulen në negociata me ide të padobishme.”
Lavrov paralajmëroi edhe shtetet e koalicionit që propozojnë dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë:
“Ata do të bëhen menjëherë objektiva legjitime.”
Kremlini: Zelensky është i paligjshëm
Lavrov përsëriti narrativën e Moskës se Zelensky ka humbur legjitimitetin, pasi mandati i tij skadoi në maj 2024 dhe zgjedhjet nuk u mbajtën për shkak të ligjit ushtarak.
Sipas tij, presidenti ukrainas po zgjat konfliktin “për mbijetesë politike dhe ndoshta edhe fizike”.

