Qytetarët e Kosovës të shpërndarë nga Australia në Japoni, e deri në SHBA e Kanada, do të kenë mundësinë të votojnë fizikisht më 27 dhjetor 2025 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën përfundimtare të vendeve ku do të organizohet procesi, pas një vendimmarrjeje të harmonizuar me aktgjykimet e Gjykatës Supreme dhe PZAP-it.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për Ekonomia Online se votimi jashtë vendit do të zhvillohet në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete, përfshirë 23 ambasada dhe 14 konsullata.
“Numri i votuesve të regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike është 19,256”, tha Elezi, duke theksuar se procesi tashmë është i garantuar dhe i organizuar brenda kornizave ligjore.
Pse u zvogëlua numri i qendrave të votimit?
Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të mbahej në 50 përfaqësi diplomatike në 36 shtete dhe të hapeshin 10 qendra shtesë jashtë ambasadave. Por vendimet e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme shfuqizuan këtë pjesë, duke rikujtuar se ligji lejon votim vetëm brenda përfaqësive diplomatike të Kosovës.
Ky kufizim bëri që KQZ më 10 dhjetor të miratojë një listë të re, të reduktuar në 37 përfaqësi diplomatike, të bazuar në të dhënat reale të regjistrimit dhe kriteret ligjore.
Ku do të votojnë diaspora?
Votimi do të zhvillohet në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në:
-
Evropë
-
SHBA & Kanada
-
Australi
-
Japoni
-
Shtete të Lindjes së Mesme
-
Disa vende të Amerikës Latine
(Shpërndarja e plotë pritet të publikohet nga KQZ në ditët në vijim.)
Diaspora e regjistruar, proces i garantuar
Me vendimin e ri, mbi 19 mijë votues të diasporës tashmë kanë të sigurt vendin e tyre të votimit në datën 27 dhjetor. KQZ nënvizon se procesi do të zhvillohet vetëm në lokacione zyrtare diplomatike, siç kërkon ligji.

