Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka dhënë ndoshta deklaratën më të rëndësishme të muajve të fundit: Kievi mund të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO, nëse SHBA-të dhe aleatët evropianë ofrojnë garanci të forta sigurie — të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s.
Lajmi raportohet nga Financial Times, duke cituar një bisedë të Zelenskyy-t me gazetarët të dielën.
“Kërkojmë garanci dypalëshe me SHBA-në”
Sipas FT, Zelenskyy ka theksuar:
“Po flasim për garanci dypalëshe sigurie midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara… garanci të ngjashme me Nenin 5. Dhe po ashtu garanci nga partnerët evropianë, Kanadaja, Japonia e të tjerë.”
Ky është sinjali më i qartë deri tani se Ukraina është e gatshme të lëvizë nga pozicionet e saj tradicionale, ndërsa bisedimet për paqen po intensifikohen nën presionin e SHBA-së.
Plani i paqes me 20 pika – ende pa përgjigje nga Shtëpia e Bardhë
SHBA ka hartuar një plan me 20 pika që parashikon, mes tjerash, lëshime territoriale ndaj Rusisë, çështje që mbetet thellësisht e kontestuar në Kiev.
Zelenskyy thotë se ka propozuar rishikime të planit, por ende:
“Nuk kemi marrë përgjigje nga Shtëpia e Bardhë.”
Evropa në lëvizje: takime intensive para Berlin-it
Zyrtarët gjermanë, britanikë dhe francezë po diskutojnë propozimet për paqen, ndërsa të hënën në Berlin pritet një takim vendimtar që do të përfshijë edhe Zelenskyy-n.
I dërguari i Presidentit Trump, Steve Witkoff, pritet të takohet me liderin ukrainas, përpara takimit ku kancelari gjerman Friedrich Merz do ta presë Zelenskyyn.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se kërkon që marrëveshja e paqes të finalizohet deri në Krishtlindje, edhe pse deri tani nuk ka shenja të një përparimi të madh.

