Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar akseleratorin e ri dhe bunkerin në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një investim me vlerë të përgjithshme prej 2.7 milionë euro.
Kurti e cilësoi projektin si lajm të mirë për pacientët dhe stafin mjekësor, duke theksuar përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të trajtimit dhe punës me pajisje të teknologjisë së fundit. Ai tha se gjatë këtij mandati Klinika e Onkologjisë është transformuar rrënjësisht, si në trajtimin e pacientëve ashtu edhe në kushtet e punës për mjekët dhe infermierët.
“Klinika e Onkologjisë sot është shembull jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Numri i shtretërve është rritur nga 45 në 110, më shumë se dyfishim. Investimi prej 2.7 milionë euro në këtë bunker dhe pajisje është përfunduar për vetëm pesë muaj,” tha Kurti.
Akseleratori i ri, me vlerë rreth 1.6 milionë euro, është i pajisur me sistemin e avancuar SIRAD, i cili mundëson rrezatim shumë të saktë të tumorit pa dëmtuar indet përreth.
Ministri Vitia theksoi se ky është akseleratori i tretë që po montohet në Klinikën e Onkologjisë dhe se me funksionalizimin e tij do të eliminohen listat e pritjes për trajtimin me rreze X. “Kjo është dhurata më e mirë për Vitin e Ri për pacientët dhe stafin shëndetësor,” tha Vitia, duke paralajmëruar vazhdimin e investimeve në të gjitha klinikat publike.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurteshi, falënderoi institucionet për investimet e bëra në pesë vitet e fundit, duke theksuar se ato e kanë ngritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve dhe trajtimit të pacientëve me sëmundje malinje.
Sipas të dhënave zyrtare, projekti përfshin:
-
Akseleratorin e ri (1.6 milionë euro),
-
Bunkerin me sipërfaqe rreth 500 m² dhe punimet përgatitore (700 mijë euro),
-
Dy sisteme për planifikimin e trajtimit (200 mijë euro),
-
Sistemin për imobilizimin e pacientëve (50 mijë euro),
-
Sistemin UPS për furnizim të pandërprerë me energji (20 mijë euro),
-
Sistemin dozometrik për matjen dhe kontrollin e dozës së rrezatimit (180 mijë euro).

