Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësi të plotë për sigurinë e tij dhe të jetë i përgatitur për kërcënimet e luftës hibride moderne.
Gjatë fjalimit të saj në seancën plenare të Parlamentit Evropian, von der Leyen theksoi se siguria nuk është më një zgjedhje për BE-në, por një detyrim i domosdoshëm.
“Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj. Kjo nuk është më një opsion, është një detyrim. Ne i dimë kërcënimet me të cilat përballemi dhe do t’i adresojmë ato. Duhet të jemi gati dhe të zhvillojmë aftësi të reja për të luftuar një luftë hibride moderne”, tha ajo.
Von der Leyen nënvizoi se Bashkimi Evropian ka hyrë në një pikë kthese pas dekadash mungese investimesh në mbrojtje, duke transformuar bazën industriale ushtarake në një kapacitet që ofron teknologji të avancuara dhe prodhim të shpejtë.
Ajo bëri të ditur se gjatë dhjetë viteve të fundit, BE-ja ka investuar 8 miliardë euro në Fondin Evropian të Mbrojtjes, ndërsa për periudhën deri në vitin 2030 parashihen investime deri në 800 miliardë euro.
“Vetëm këtë vit kemi bërë më shumë për mbrojtjen sesa në dekadat e fundit. Programi SAFE ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm, me kërkesa nga 19 shtete anëtare që tejkalojnë 150 miliardë eurot e planifikuara. Kjo tregon qartë angazhimin evropian për sigurinë evropiane”, u shpreh ajo.
Në fund, presidentja e Komisionit Evropian theksoi se forcimi i mbrojtjes nuk lidhet vetëm me aspektin ushtarak, por edhe me ruajtjen e lirisë, prosperitetit dhe pavarësisë së Bashkimit Evropian.

