Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të organizatës Handikos, ku u diskutuan sfidat kryesore dhe mënyrat për përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me nevoja të veçanta.
Kurti bëri të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës janë punësuar 422 asistentë nëpër shkolla, me qëllim mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në procesin arsimor. Po ashtu, sipas tij, janë investuar 6.4 milionë euro për pajisje ndihmëse për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Kryeministri theksoi se Qeveria ka miratuar edhe rregulloren e re që rregullon nevojat dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke e cilësuar këtë si hap të rëndësishëm drejt garantimit të kushteve më dinjitoze për ta.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Handikos si të ngushtë dhe të frytshëm, duke shtuar se ky partneritet është thelbësor për të avancuar politikat sociale dhe për të punuar edhe më shumë në mandatin e ardhshëm në funksion të përfshirjes dhe barazisë sociale.

