Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është zhvilluar një operacion i gjerë policor në rajonin e Prishtinës, i fokusuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar të Sistemit Prokurorial, operacioni lidhet me dyshime serioze për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim si dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë aksionit janë arrestuar shtatë persona, të identifikuar me inicialet: F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave, pas një periudhe të gjatë monitorimi dhe hetimi, përfshirë edhe përdorimin e masave të veçanta hetimore.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në koordinim të ngushtë me Prokurorin Special të rastit. Me vendim të Prokurorisë Speciale, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike si dhe tri vetura.
Nga Prokuroria Speciale bëhet e ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar dhe se institucionet e rendit dhe drejtësisë mbeten të përkushtuara për trajtimin e plotë dhe profesional të çështjes, në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

