Policia e Qarkut Dubrovnik-Neretva Police Department ka sekuestruar 12.75 kilogramë kokainë me vlerë të vlerësuar rreth 3.5 milionë euro në pikën kufitare Karasovići, duke arrestuar një shtetas shqiptar 56-vjeçar. Autoritetet theksuan se operacioni ishte rezultat i muajve të punës së koordinuar mes policisë dhe doganës, dhe jo një rastësi.
Droga u zbulua të mërkurën, më 17 dhjetor, rreth orës 17:30, gjatë kontrollit të një automjeti që po përpiqej të largohej nga Kroacia. Gjatë inspektimit të detajuar, oficerët konstatuan një hapësirë të përshtatur posaçërisht në automjet, ku u gjetën pako të mbështjella me shirit ngjitës. Kontrolli i mëtejshëm konfirmoi gjithsej 12 pako me 12,750 gramë kokainë.
Lënda narkotike u konfiskua përkohësisht, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për hetim penal. Sipas hetimeve paraprake, kokaina dyshohet se ka ardhur nga vende të Evropës Perëndimore dhe ishte destinuar për shpërndarje të mëtejshme në tregun e paligjshëm në Shqipëri.
Policia e Qarkut Dubrovnik-Neretva bëri të ditur se nga viti 2020 ka ngritur 490 kallëzime penale për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të drogës, ndërsa mbi 4,000 persona janë gjobitur për konsumim të narkotikëve. Në të njëjtën periudhë pesëvjeçare, përmes 4,418 sekuestrimeve në aksione rrugore dhe operacione me element ndërkombëtar, janë konfiskuar 317 kg marihuanë, 256 kg heroinë, 769 kg kokainë, gati 22 kg amfetaminë, mbi 93,000 njësi droge të ndryshme si dhe 1,660 bimë marihuane.
Autoritetet kroate nënvizuan se operacionet e tilla do të vijojnë me intensitet, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të goditur rrjetet e trafikut të drogës.

