Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi se ka rrëzuar një mjet ajror pa pilot (UAV) që kishte hyrë në hapësirën ajrore turke nga drejtimi i Detit të Zi dhe ishte vërejtur në qiellin mbi Ankaranë më 15 dhjetor. Sipas autoriteteve turke, për incidentin janë paralajmëruar si Rusia ashtu edhe Ukraina, në kuadër të shqetësimeve për sigurinë rajonale.
Në deklaratën zyrtare, ministria theksoi se UAV-ja ishte identifikuar si jashtë kontrollit dhe, për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, ishte ndjekur nga avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Turke. “Pas përfundimit të procedurave përkatëse, UAV-ja u rrëzua me ndërhyrje të kontrolluar në zonën më të përshtatshme,” thuhet në njoftim.
Autoritetet nuk dhanë informacion se cilit shtet i përkiste droni apo nëse mbante ndonjë ngarkesë. Ministria bëri të ditur se mjeti ishte copëtuar në fragmente shumë të vogla dhe ishte shpërndarë në një zonë të gjerë, çka e vështirëson mbledhjen e mbetjeve. Megjithatë, ekipet përkatëse kanë nisur operacionet e kërkim-skanimit dhe hetimit teknik.
Një incident i dytë u raportua të shtunën, kur një tjetër UAV u gjet i rrëzuar në një fushë të zbrazët pranë qytetit Balıkesir, rreth tre orë në jugperëndim të Stambollit. Autoritetet lokale dyshojnë se ai mund të jetë me origjinë ruse. Ky është incidenti i tretë i këtij lloji brenda pak ditësh.
Debate mbi sigurinë ajrore
Ngjarja ka hapur debat publik në Turqi lidhur me funksionimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Deputeti i CHP-së dhe ish-ambasadori Namık Tan ngriti pikëpyetje nëse radarët turq kanë kapacitet të mjaftueshëm për të zbuluar në kohë dronë që shkelin hapësirën ajrore dhe arrijnë mbi kryeqytet.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se hapësira ajrore e Turqisë monitorohet 24 orë në ditë përmes një arkitekture të integruar që përfshin radarë, sisteme paralajmërimi të hershëm, luftë elektronike dhe elementë përgjimi. “Procesi u menaxhua dhe u finalizua me sukses. Pretendimet për dobësi në mbrojtjen ajrore nuk pasqyrojnë realitetin,” thuhet në reagim.
Tension i shtuar në Detin e Zi
Incidenti vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Detin e Zi, ku gjatë javëve të fundit janë raportuar sulme ndaj tankerëve rusë dhe incidente që kanë prekur edhe anije të kompanive turke. Turqia i ka dënuar këto sulme dhe ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka paralajmëruar më herët se shënjestrimi i anijeve tregtare dhe civile nuk i shërben askujt, duke theksuar nevojën për shmangien e përshkallëzimit. Megjithatë, zhvillimet e fundit, përfshirë rrëzimin e UAV-së mbi Ankara, tregojnë se situata në rajon mbetet e brishtë dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm.
